Beteja për Mosulin, trupat ushtarake rimarrin zyrat e qeverisë

07/03/2017 00:00

Forcat irakene të sigurisë kanë deklaruar se kanë rimarrë nën kontroll zyrat kryesore qeveritare në Mosul, teksa ofensiva për të dëbuar nga territori militantët e Shtetit Islamik vazhdon.

Avancimi i trupave zyrtare mund të hapë rrugën për një sulm në qytetin e mbipopulluar, ku militantët kontrollojnë ende një pjesë të mirë.

Ndërkohë, mijëra civilë janë duke braktisur qytetin çdo ditë. Ata deklarojnë se beteja për rimarrjen e godinave qeveritare, e shoqëruar nga bombardime, ishte më e rënda që nga fillimi i operacionit më 19 shkurt.

Mosuli është bastioni i fundit i ISIS në Irak. Zona lindore e qytetit u morë nën kontroll në janar.

Natën mes së hënës dhe së martës, trupat qeveritare ndërmorën një sulm surprizë, duke bastisur zyrat e qeverisë. Edhe pse godinat thuhet se janë shkatërruar, kjo mund të konsiderohet një fitore simbolike.

Kryeministri iraken Haider al Abadi mbërriti në Mosul këtë të martë, për të takuar krerët ushtarakë.

Trupat kanë marrë gjithashtu nën kontroll muzeun, degën e bankës qendrore, e cila ndodhet pranë selisë së gjykatës, e përdorur nga militantët për të dhënë dënime mizore ndaj anëtarëve të pabindur të grupit terrorist.

Top Channel