Raporti për Ballkanin, Mogherini: Mbështetje unanime për mesazhet që përcolla

07/03/2017 00:00

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini deklaroi në Bruksel se tensionet në rajonin e Ballkanit Perëndimorë janë “skajshmërisht të rrezikshme” dhe se BE-ja duhet të veprojë me përkushtim për të siguruar ardhmërinë europiane të rajonit.

Mogherini i bëri këto komente pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të bllokuar, te cilët i informoi mbi turin e saj në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Ajo sqaroi se lidhur me Shqipërinë nuk është përmendur ndonjë datë për hapjen e negociatave për anëtarësim, por se me ministrat është diskutuar dhe konfirmuar mesazhi që dërgoi në Tiranë se Bashkimi Europian është gati të hapë negociatat në momentin kur do të fillojë zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht procesi i Vettingut. Në përgjithësi, situatën në Ballkanin Perëndimor Mogherini e gjeti me probleme, por angazhimi i BE-së atje sipas saj mbetet i fortë.

“I informova ministrat mbi takimet, bisedimet dhe vizitat që zhvillova në të gjithë rajonin me të gjashtë partnerët tanë dhe kishte një mbështetje të qartë, unanime për mesazhet që përcolla në rajon si dhe një angazhim të fuqishëm për një perspektivë të besueshme europiane për të gjithë Ballkanin”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së.

Mogherini u shpreh se kishte parë një rajon të ekspozuar më shumë se më parë ndaj sfidash dhe tensionesh. Paqja asnjëherë nuk mund të merret si e mirëqenë, ishin komentet e ministres se jashtme te bllokut.

“Disa ritme të brendshme politike po tensionojnë situatën e një pjese të vendeve atje. Dallova ngërçe rajonale ndëretnike mes shteteve apo edhe brenda tyre, që janë skajshmërisht të rrezikshme sepse mund ta kthejnë rajonin prapa. Po ashtu, pashë një rajon të ekspozuar ndaj tensioneve globale. Ballkani mund të bëhet lehtësisht një prej fushë shahu ku mund të luhet loja e fuqive të mëdha”, tha Mogherini.

Shqetësimin më të madh e përbënë zhvillimet në Maqedoni. Frika ime është se situata atje mund të kthehet në krize ndëretnike dhe ky ishte mesazhi kryesor që u dërgova përgjegjësve politik në vend. Mos luani me zjarrin, mos e shndërroni këtë në një përplasje që mund të shkatërrojë vendin dhe të përhapet përtej, shpjegoi Mogherini.

Top Channel