De Laurentis: Doja Allegrin. Ja kërkesa e Higuain

07/03/2017 00:00

Përpara ndeshjes së kthimit, të vlefshme për Ligën e Kampionëve, midis Napolit dhe Real Madrid, Antonio De Laurentis rikthehet të flasë dhe të tregojë dy histori interesante.

Presidenti napolitan tregon se ka shumë simpati për trajnerin Massimiliano Allegri dhe se kishte tentuar ta sillte në krye të Napolit.

“Isha i dashuruar me të, që nga koha kur ishte në Milano. E kam telefonuar për disa muaj me radhë, që të vinte në bankinën e Napolit, por ai më thoshte që të prisja. Pas kësaj ne vendosëm të marrim Benitez”, tha bosi napolitan.

Më pas, De Laurentis zbulon edhe një kuriozitet interesant më Higuain dhe kërkesën për të shitur Callejon.

“Nuk darkoja me Higuain, por i njihja mirë familjarët e tij. I ati ishte një burrë i mrekullueshëm, ndërsa i vëllai më thoshte gjithmonë se Higuain nuk i pëlqen të luajë me Callejon dhe se duhet të blija lojtarë të tjerë. Nuk e kam bërë sepse e dua Callejon, ndaj i kam zgjatur edhe kontratën për 4 vite të tjera”, tregon De La.

Top Channel