Rostov-United, përballja e frikshme e tifozëve ruso-anglezë

06/03/2017 00:00

Që në momentin e shortit të Europa Ligës kur goglat vendosën përballë Manchester United dhe Rostov, drejtuesit e klubit të futbollit anglez kuptuan se transferta drejt Rusisë do të ishte problem si për anën sportive, ashtu dhe për tifozët.

Tashmë Djajtë e kuq përmes një letre zyrtare i kanë kërkuar mbështetësve që do të udhëtojnë në Rusi për ndeshjen e së enjtes, që të tregojnë kujdes shtesë.

Tifozët britanikë që do të jenë në Rostov, nuk duhet të veshin ngjyrat karakteristike të ekipit, duhet të mbajnë një profil të ulët jashtë stadiumit, dhe të mos tërheqin vëmendjen.

Skuadra e Premier Ligës do të përballet këtë mesjavë me ekipin modest por ka dyshime serioze që grupimet mike, të sulmohen nga huliganët rusë.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Europianin 2016 kur qyteti i Marsejës u kthye në arenën e akteve të dhunës mes huliganëve anglezë dhe rusë. të paktën 400 tifozë të Manchester United do të jenë prezent të enjten për ndeshjen e futbollit, dhe Djajtë e kuq i kanë kërkuar paradoksalisht atyre të qëndrojnë në vetëm dy rrugë kryesore që do të patrullohen nga policia.

Tifozët këshillohen gjithashtu të qëndrojnë në grupe dhe të evitojnë vizitat në periferi apo jashtë qytetit rus të Rostov.

Top Channel