Kundër Shqipërisë në sulm dyshja e 38 golave

06/03/2017 00:00

Si të mos mjaftonte koeficienti i lartë i vështirësisë me një pretendente që e hasim që në fazën eliminatore, kombëtarja shqiptare e futbollit do të detyrohet të bëjë llogaritë me  një prej dysheve sulmuese më profilike në ligat europiane.

Në 24 Mars kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e radhës kualifikuese në botëror, këtë herë në transfertë ndaj Italisë në stadiumin e Palermos.

Trajneri i të kaltërve, Xhampiero Ventura ka ndjekur jo pa krenari dy sulmuesit më në formë të momentit që po lulëzojnë në serinë A, njëri me fanellën e Torinos dhe tjetri me Lacion. Beloti dhe Imobile bëjnë bashkë 38 gola këtë sezon si asnjë kombëtare tjetër europiane, e me këto statistika së bashku me mungesat në mbrojtje, transferta e Shqipërisë bëhet mision i pamundur.

Beloti me 22 gola në serinë A po përjeton sezonin më të mirë të karrierës aq sa të shtyjë presidentin e Torinos ti vendosë 100 milionë Euro si klauzolë largimi.

Ndërkohë Imobile me 16 rrjeta te bardhekaltërit po e tërheq Lacion drejt vendit të katërt duke shënuar nga java në javë. Të dy këta lojtarë janë testuar më parë bashkë me fanellën Granata dhe në eliminatore me nga 3 gola secili, ndaj Maqedonsië dhe Lihtenshtejnit. Me të gjitha ata gjasat do ta nisin edhe nga minuta e parë ndaj kuqezinjve në 24 Mars në Palermo.

Top Channel