Reagon Gjermania: Akuzat e Erdogan, absurde

06/03/2017 00:00

Qeveria gjermane i ka cilësuar absurde krahasimin e politikave në Gjermaninë e sotme me ato të kohës naziste, nga ana e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Përballë tensioneve në rritje, zëdhënësi i qeverise, Steffen Seibert i bëri thirrje të dyja palëve të ruajnë qetësinë dhe të mos vënë në rrezik lidhjet e ngushta mes dy aleateve të NATO-s.

“Ne refuzojmë çdo krahasim mes politikave të republikës demokratike të Gjermanisë dhe nazizmit. Krahasime të tilla janë absurde dhe totalisht pa vend, pasi çojnë drejt një gjëjë; zhvlerësimin e krimeve kundër njerëzimit”, tha Steffen Seibert.

Seibert shtoi se Gjermania do të vazhdojë të lejojë mbajtjen e tubimeve të politikanëve turq në vend për aq kohë sa tregohen të sinqertë lidhur me qëllimet e tyre dhe nuk i importojnë konfliktet turke në Gjermani.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel theksoi nevojën për normalizimin e atyre që ai i cilësoi marrëdhënie “tepër të tensionuara” me Turqinë. Këto komente, ai i bëri në Bruksel, gjate takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.

Gabriel ju përgjigj me skepticizëm thirrjeve të disa homologëve të tij europianë për të shqyrtuar rregulloret dhe standardet e BE-së për prezantimin e fushatave nga politikanët e huaj. Disa anëtarë, të tillë si Holanda kërkojnë që Brukseli të ndalojë fushatat e politikanëve turq në vendet e Bashkimit Europian, për një referendum të ri kushtetues që do t’i jepte presidentit Erdogan kompetenca të reja.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, tha se debati për Turqinë thekson mungesën e rregulloreve të BE-së për lejimin e mitingjeve nga politikanët e vendeve jo-anëtare.

Top Channel