Ushtri europiane, BE gati për komandën e përbashkët

06/03/2017 00:00

Vendet anëtare të bllokut europian përgatiten të marrin vendimin zyrtar mbi krijimin e një qendre të përbashkët komande të misioneve ushtarake të bllokut.

Një hap simbolik ky drejt nevojave të reja për bashkëpunim më të madh në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Prekja e kësaj teme delikate politikisht ishte shtyrë prej vitesh, por ajo u rikthye në axhenden europiane pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe rritjes së kërcënimit nga militantet islamikë. Nga ana tjetër, edhe paralajmërimet e Donald Trump-it për një reduktim të angazhimit amerikan lidhur me sigurinë e aleatëve të NATO-s në Europë nëse nuk shtojnë nivelin e shpenzimeve, e ka vënë në lëvizje bllokun, duke i dhënë situatës një sens urgjence.

“Propozimi im për ministrat është ndërmarrja e vendimeve të menjëhershme mbi krijimin e një mekanizmi të planifikimit dhe drejtimit i cili do të na lejojë një qasje më të unifikuar, më racionale dhe më efikase ndaj misioneve ushtarake ekzistuese. Unë mendoj se ky ka për të qenë një hap i madh përpara. Nuk është një ushtri europiane, se e di ky përcaktim qarkullon prej disa kohësh tashmë, por është një mënyrë më e efektshme për të menaxhuar veprimtarinë tonë ushtarake”, tha Mogherini.

“Ne po e nxisim sot BE-në të bashkëpunojë më ngushtësisht me NATO-n në mënyrë që të shmangen dublikatat e strukturat e panevojshme dhe të punohet bashkërisht përballë kërcënimeve të reja, përfshirë ato që lidhen me sigurinë kibernetike”, u shpreh Michael Fallon, sekretar britanik i Mbrojtjes.

Në muajin dhjetor, liderët e Bashkimit Europian u pajtuan me shqyrtimin e mundësive për krijimin e një qendre të përhershme të planifikimit operacional, e cila të ketë dhe kapacitet drejtues në nivel strategjik.

Top Channel