Zgjedhjet franceze, Juppe nuk do të kandidojë për president

06/03/2017 00:00

Alan Juppe nuk do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze. Ish-kryeministri i dha fund hamendësimeve se mund të shërbente si alternativë e kënaqshme ndaj Francois Fillon-it të përfshirë nga skandali i punësimeve fiktive. Sondazhet e opinionit tregojnë se Juppe do të kishte ecur shumë mirë në raundin e dyte.

“E konfirmoj për të fundit herë se nuk do të jem kandidat për kryesinë e Republikës. Është tepër vonë për mua tani që të dal në skenë e të bashkoj njerëzit”, tha Alain Juppe.

Që kur humbi parapraket përballë Fillon-it, Juppe e ka përsëritur vazhdimisht se nuk dëshiron të kandidojë vetëm për të qenë një plan B. Kryebashkiaku i Bordosë e kritikoi ashpër rivalin për kryeneçësinë e treguar në mosbesimin ndaj sistemit të drejtësisë apo akuzat ndaj medias, e tha se ky qëndrim e ka çuar atë “në qorrsokak”.

“Çfarë humbjeje”, ishte komenti ironik i Juppe. Fillon rrezikon të shpallet fajtor në përfundimin e hetimit mbi pagat e përfituara nga e shoqja  Penelope dhe dy fëmijët e tyre për vende pune të dyshuara fiktive si këshilltarë parlamentarë. Deri në shpërthimin e skandalit në mesin e muajit janar, 63-vjeçari konsiderohej si favoriti i qartë i garës presidenciale në Francë.

Top Channel