Myslimanët e Holandës: Kërcënim është ekstremizmi, jo ne

06/03/2017 00:00

Ndërsa fushata elektorale është në kulmin e saj në Holandë, e kur kanë mbetur pak ditë para zgjedhjeve kombëtare, pjesëtarë të komunitetit mysliman holandez kanë organizuar një takim në një xhami në Amsterdam për të treguar solidaritet me myslimanët në të gjithë vendin në atë që ata e cilësuan si një frymë ekstremizmi në rritje, inkurajuar nga partia për lirinë e Geert Wilders.

Ky i fundit, ka bërë fushatë për ndalimin e emigrimit të myslimanëve dhe ka kërkuar së fundmi mbylljen e të gjitha xhamive dhe ndalimin e kuranit.

Kandidati i të djathtës ekstreme, mendon që kurani duhet të ndalohet në vendet baske, ashtu siç është bërë me Mein Kampf të Adolf Hitlerit. Wilders mbështetet nga rreth 20 për qind e zgjedhësve holandezë dhe partia e tij ndodhet në sondazhe shumë pranë asaj të kryeministrit konservator Mark Rutte, partia e popullit për liri dhe demokraci.

Presidenti i qendrës Euro-Mesdhetare për emigrimin dhe zhvillimin, Abdu Menebi, që organizoi takimin tha se donin të kundërshtonin frymën e urrejtjes që po ushqehet nga rritja e populizmit dhe të djathtës ekstreme.

“Ne kemi organizuar këtë takim për ti bërë të ditur njerëzve se vendi ynë, Holanda, nuk kërcënohet nga islami, por nga ekstremizmi, tha ai. Zgjedhjet në Holandë, të përcaktuara për më 15 mars, janë të parat nga tre të tilla në vendet themeluese të bashkimit evropian dhe partitë anti-BE dhe anti-emigracion, në Francë e Gjermani, shpresojnë që shqetësimet në lidhje me sigurinë dhe emigracionin do të çojnë në fitore elektorale që mund të ripërcaktojnë kontinentin dhe politikat e tij.

Top Channel