Raketa drejt Japonisë, Koreja e Veriut provokon sërish

06/03/2017 00:00

Koreja e Veriut ka lëshuar katër raketa balistike drejt detit të Japonisë. Tre prej tyre kanë rënë në zonën ekonomike ekskluzive të Japonisë pasi kanë përshkuar rreth 1 mijë kilometra, në atë që kryeministri Shinzo Abe e quajti një fazë të re kërcënimi.

Ato u lëshuan nga rajoni Tongchang, në afërsi të kufirit të Koresë së Veriut me Kinën. Lloji i raketave, ende nuk është i qartë, por Koreja e Veriut e ka të ndaluar nga kombet e bashkuara të kryejë çfarëdo testi raketash apo armësh bërthamore.

Zyrtarët koreanojugorë thanë se raketat ishin lëshuar rreth orës 07:36 minuta sipas orës lokale dhe po hetohej për të përcaktuar se të çfarë lloji ishin ato. Ushtria amerikane tha më pas se kishte pikasur dhe gjurmuar një lëshim raketash, por akti nuk përbënte një kërcënim për Amerikën Veriore.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në detyrë, Mark Toner, tha në një deklaratë: SHBA fuqimisht dënojnë lëshimin e raketave balistike nga ana e Koresë së Veriut, çka është një shkelje e hapur e rezolutave të këshillit të sigurimit të OKB që ndalojnë vendin të përdorë teknologjinë e raketave balistike.

Të premten, Koreja e Veriut kishte kërcënuar se do të hidhte disa raketa si kundërpërgjigje ndaj një stërvitjeje të përbashkët ushtarake të Koresë së Jugut dhe SHBA. Veriu i sheh këto stërvitje të përvitshme si përgatitje për një pushtim ndaj tij. Lëshimi i raketave nga vendi i izoluar komunist është i fundit në një seri testesh të teknologjisë raketore të Koresë së Veriut që ekspertët thonë se do të përmirësohet në testet pasuese.

Top Channel