Erdogan sulmon Gjermaninë: Nuk ka asnjë lidhje me demokracinë

05/03/2017 00:00

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan vuri shenjën e barazimit mes zyrtarëve të Gjermanisë së sotme dhe nazistëve, duke përshkallëzuar luftën e fjalëve mes dy vendeve. 

Komentet e Erdogan vijnë pas vendimit të autoriteteve gjermane për të anuluar tubimet e disa politikanëve turq në zonat e banuara nga ky komunitet në prag të një referendumi të rëndësishëm.

“Gjermania nuk ka asnjë lidhje me demokracinë, dhe veprimet aktuale të saj nuk ndryshojnë shumë nga ato të nazizmit në të kaluarën. Menduam se praktikat naziste ishin zhdukur por qënkemi gabuar”, tha Erdogan

Rreth 1.4 milion turq në Gjermani mund të votojnë në referendumin e muajit prill, që synon ti japë Erdoganit fuqi shtesë mbi buxhetin, emërimin e ministrave e gjykatësve dhe gjithashtu autoritetin për shpërbërjen e parlamentit. 

Presidenti turk është vënë në shënjestër të kritikave ndërkombëtare për grushtin e hekurt me të cilin po i përgjigjet puçit të dështuar të muajit korrik. 

Dhjetëra gazetarë turq e shkrimtarë janë vënë në pranga, e një numër i madh diplomatësh e ushtarësh kanë kërkuar azil në shtete të tjera. 

Përballë një situate të tillë, Ankaraja e ka kthyer vëmendjen tek miliona votuesit jashtë vendit, për ti bindur ata të thonë fjalën e tyre në referendumin e shumë-kundërshtuar, që do ta shndërrojë vendin në Republikë Presidenciale. 

Por autoritetet gjermane ndaluan fjalimet në Gaggenau, Keln dhe Frechen. 

Mungesa e vend-parkimeve është cituar si motiv i këtij vendimi në Gaggenau, ndërsa zyrtarët e Kelnit pretendojnë se janë këq-informuar lidhur me qëllimin e eventit. 

Anullimi i tubimeve erdhi pas arrestimit të një gazetari të gjermanes Die Welt në Turqi, i akuzuar si pjestar i grupit militant kurd PKK, e si agjent i Gjermanisë. 

Ndërkaq kancelari austriak Christian Kern, kërkoi ndalimin e fushatave politike turke në të gjitha vendet e BE-së.

 

Top Channel