Papa Françesku, në vështirësi. “Luftë civile” në Vatikan?

05/03/2017 00:00

Kur Papa Françesku u zgjodh rreth 4 vite më parë, më 13 mars 2013, ai u shoqërua si asnjë papë tjetër para tij nga kapela sistine deri në dhomën e lotëve.

Ky është vendi ku një papë i ri pushon për një moment dhe, pa asnjë dyshim, shumë prej atyre që ndalen aty derdhin ndonjë lot, teksa mendojnë për përgjegjësinë që kanë mbi shpinë, para se të dalin në ballkonin mbi “Shën Pjetër” për të përshëndetur botën si udhëheqësi i ri i Kishës Katolike romane.

Kur Françesku, i njohur deri atëherë si Jorge Mario Bergoglio, arkipeshkv i Buenos Airesit, u shfaq atë natë, u duk i lirshëm dhe bënte shaka se kardinalët kishin shkuar deri në fund të botës për të zgjedhur papën e ri.

Nëse ai do të kishte pasur ndonjë ide sesi do të ishin këto 4 vitet në vijim, pa dyshim do të ishte mbyllur në dhomën e lotëve. Pavarësisht popullaritetit të madh në glob, me katolikët dhe jo katolikët që e pëlqejnë atë, Papa Françesku është përballur me kundërshti të hapura nga paria e Vatikanit. Në përpjekjen e tij për ta futur Kishën Katolike në shekullin e XXI-të ka luftuar për të reformuar qeverisjen, është përpjekur të bindë kardinalët të rishohin qëndrimet e tyre mbi divorcin dhe të rimartuarit, si dhe është kundërshtuar hapur nga eksponentë rebelë.

Javën e kaluar nisën kreshmet e mëdha, një periudhë e kalendarit kishtar kur katolikët agjërojnë, japin lëmoshë dhe reflektojnë në prag të shënimit të Pashkës. Zakonisht, kjo shoqërohet nga lutje të heshura dhe të dielën, Papa, bashkë me pjesëtarët e kurisë romake, nisin 5 ditë pushim.

Largohen nga Vatikani në mesin e tensionit, trazirave dhe rebelimit. Ka madje zëra se një numër anëtarësh të Vatikanit mendojnë se ai duhet të japë dorëheqjen. Rastet e abuzimeve më fëmijët dhe temat si divorci dhe rimartesa kanë ndezur një luftë të vërtetë civile në Vatikan.

Konservatorët nuk lëshojnë pè dhe kërkojnë dorëheqjen, ndërkohë që ka zëra në Vatikan se edhe disa prej atyre që kanë votuar për ta zgjedhur atë papë, tani kanë dyshime. Sidoqoftë, edhe ata e dinë se një papë aq popullor sa Françesku, zor se mund të gjendet.

Top Channel