Përpjekjet për rikthim, ngritja dhe rënia e Tony Blair

05/03/2017 00:00

Fotoja e një Tony Blair të buzëqeshur, me duart në xhepat e xhinseve teksa ecte përkrah presidentit të sapozgjedhur George W. Bush në rezidencën e tij në “Camp David” në vitin 2011, duket sikur përcaktoi lidershipin e Blairit.

Vetëm dy vite më vonë, çifti sfidoi opinionin botëror dhe pushtoi Irakun. Kjo ishte një katastrofë që, siç argumentohet, shkatërroi reputacionin e të dyve. Dhe shumë ekspertë thonë se kjo ishte një prej shkaqeve, që çoi në rritjen e të ashtuquajturit grup terrorist të Shtetit Islamik.

Një histori e tillë mund ta bëjë dëshpëruese idenë që Blair mund të marrë një rol të ri për t’i dhënë fund kaosit në Lindjen e Mesme, flakët e të cilit ai vet i ndezi. Por, ish-kryeministri bitanik ka qenë gjithnjë një “kameleon” politik. Ai zakonisht e ka gjetur një rrugë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 1998, ai iu bashkua Bill Clintonit para se të mbante fjalimin e tij të famshëm të pushtimit liberal në Chicago. Të dy u cilësuan më pas si heronj, kur ndërhyrjet e tyre ushtarake i dhanë fund konfliktit të përgjakur në Bosnje apo edhe në Kosovë.

Por, e njëjta doktrinë përfundoi në katastrofë, kur Blair dhe Bush u përpoqën të ndërhynin në Afganistan dhe Irak, në mesin e pretendimeve se ata kishin gënjyer për kërcënimin që paraqiste Sadam Hysseini.

Me të drejtë, demokrati Barack Obama ishte një aleat natyral politik për Blairin, më shumë sesa “kaubojsi i djathtë” Bush. Por, Obama zgjodhi të distancohej nga paraardhësi i tij, duke e mbajtur shokun e luftës të Bushit, jo në distancë.

Në vizitën e saj të fundit në SHBA, Theresa May doli nga vetja duke mbështetur lëvizjet e Trumpit në politikën e jashtme. Ajo kritikoi politikat e dështuara të së shkuarës, duke iu referuar qartazi Bushit, Blairit, Irakut dhe Afganistanit. Tani, paraardhësi që ajo publikisht e sulmoi në fjalën e saj në Shtëpinë e Bardhë mund të kthehet atje për të këshilluar ekipin e Trumpit në fushën e politikës së jashtme.

Dhe e bën këtë pas shpinës së saj. E pyetur sesi do t’i kapërcente dallimet e saj me Trumpin, May kishte thënë se “anët e kundërta tërhiqen”. Ndërsa sharmanti Blair është më shumë sesa i aftë, që duke shfrytëzuar të njëjtën linjë, të hapë rrugën e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Në fund të fundit, pas “Brexit”-it, Theresa May nuk do të jetë në gjendje të funksionojë më si një urë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Brukselit. Ndërkohë, Blair është në kontakte të ngushta me pjesën më të madhe të udhëheqësve të BE-së, përfshirë Kancelaren gjermane Angela Merkel. Pasi ka bërë miliona nga marrëveshjet e biznesit me të gjithë llojet e udhëheqësve super të pasur të botës, Blair duket se tani do të ndalet te Trumpi.

Top Channel