Fillon mbrohet nga e shoqja: Kam punuar vërtet si asistente

05/03/2017 00:00

Bashkëshortja e kandidatit presidencial François Fillon ka dalë në mbrojtje të tij dukethënë se ka punuar vërtet si asistente parlamentare, punë për të cilën edhe është paguar.

“Ai kishte nevojë për dikë që të kryente disa detyra të rëndësishme të tij”, thotë Penelope Fillon për një gazetë franceze, ku hedh poshtë akuzat se ajo është paguar në mënyrë fiktive pa punuar realisht.

Duke qenë se thirrjet ndaj Fillon për t’u tërhequr nga gara presidenciale janë shtuar së tepërmi, ai pritet të marrë pjesë në një miting masiv pranë kullës “Eiffel” në Paris këtë të dielë. Partia Republikane që ai përfaqëson pritet të diskutojë të hënën mbi krizën e fundit.

Ish-kryeministri ka para sesi popullariteti i tij të ka rënë ndjeshëm në sondazhet e fundit.

“Nëse nuk do të kisha qenë unë, ai do të paguante dikë tjetër për të bërë ato detyra, por ai më kishte zgjedhur pikërisht mua”, tha zonja Fillon për gazetën “Journal du Dimanche”. “Gjithçka ka qenë e ligjshme dhe e deklaruar”.

Fillon tha gjithashtu se vazhdimisht i kishte thënë bashkëshortit të saj “të vijonte garën me të gjitha mënyrat”, por shtoi se vendimi përfundimtar ka për të qenë i tiji. Ajo nxiti mbështetësit e bashkëshortit që të qëndrojnë në krah të tij gjatë fushatës presidenciale, e jo të dorëzohen.

Duke folur përpara mbështetësve në Paris gjatë së shtunës, kur ajo festoi edhe 63-vjetorin e saj, kandidati Fillon tha se ata që e sulmojnë atë vetëm për shkak të kandidimit në zgjedhjet presidenciale po “përpiqen të vrasin dëshirën për të ndryshuar”.

Sondazhi më i fundit tregon se ai do të eliminohet që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 23 prillit, me kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe liberalin Emmanuel Macron që pritet të avancojnë drejt balotazhit të 7 majit.

Sondazhi, i publikuar pikërisht në “Journal du Dimanche” tregon se 71 për qind e të anketuarve duan që Fillon të japë dorëheqjen. Në një tjetër goditje për fushatën e Fillon, zëdhënësi i tij njoftoi të premten largimin nga fushata, sikurse u tërhoqën nga mbështetja e tyre edhe aleatët e koalicionit. Problemet e Fillon kanë rritur spekulimet se Alain Juppe, gjithashtu një ish-kryeministër, mund të rikthehet në garën presidenciale, nëse Fillon tërhiqet.

Top Channel