Mogherini në Kosovë: Pa viza pas Demarkacionit. Pajtim në Mitrovicë

04/03/2017 00:00

Kosova mund të ecë përpara dhe qytetarët e saj të lëvizin pa viza, por kusht është votimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kjo është një çështje me plotë kundërshti, por shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, si për tërë rajonin, porositë i ka patur të qarta edhe për Kosovën.

“Tani gjithçka është në duart e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të lëvizim shumë shpejt në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Mogherini.

Ajo takoi krerët e Kosovës, presidentin Hashim Thaci, kryeministrin Isa Mustafa, përfaqësuesit e opozitës dhe të serbëve. Në emër të Kosovës, kryeministri Mustafa tha se prioritetet e Prishtinës nuk kanë ndryshuar për zgjidhjen e problemeve.

“Kërkuam ndihmën e Përfaqësueses së Lartë dhe BE-së për kapërcimin e gjendjes që kemi me demarkacionin me Malin e Zi, për shkak të kundërshtimeve që kemi në Parlament”, tha Mustafa.

Por ndërkohë, opozita në Kosovë nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kufirit me Malin e Zi. Për të, demarkacioni nuk kalon.

Ura e Ibrit duhej të ishte përfunduar, por zonja Mogherini në Mitrovicë arriti për të inkurajuar kthimin e projekteve të Brukselit në vepra.

“Ripajtimi mes kombeve duhet të sjellë paqen dhe me paqe arrihet progresi. Shpresoj dhe do të punoj që kjo urë të hapet së shpejti”, tha Mogherini.

Ura, e cila mori formë të re pas ndërtimit të murit që gati çoi në incidente, pritet të hapet pas disa muajsh.

Top Channel