“Dragoi” rrit në 7 për qind shpenzimet ushtarake

04/03/2017 00:00

Kina ka deklaruar se do të rrisë shpenzimet e saj ushtarake me të paktën 7 për qind këtë vit, vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të shtonte buxhetin e mbrojtjes.

Njoftimi i qeverisë kineze u bë në prag të Kongresit Kombëtar të Popullit në Pekin. Kina i ka modernizuar ndjeshëm forcat e saj të armatosura, sidomos gjatë viteve të zhvillimit ekonomik.

Pekini zyrtar deklaroi se, buxheti i mbrojtjes mbetet gjithësesi më i vogël se ai i Shteteve të Bashkuara, por ekspertët dyshojnë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë se 7 për qind.

Sidoqoftë, njoftimi shënon vitin e dytë rresht që rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga “dragoi” është nën 10 për qind, pas dy dekadash të tëra mbi këtë kuotë.

Kjo do të thotë se, në total shpenzimet do të përbëjnë rreth 1.3 për qind të GDP-së së vendit për vitin 2017, që, siç tha një zëdhënës qeveritar, është i njëjtë me nivelin e viteve të fundit.

Shifra e saktë e këtyre shpenzimeve do të bëhet e ditur nga kryeministri kinez Li Keqiang në Kongresin Kombëtar të Popullit, që do të zhvillohet të dielën.

Më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të çonte në 10 për qind shpenzimet për forcat e armatosura në vitin 2018, ose 54 miliardë dollarë investim.

Zhvillimi ushtarak i Kinës dhe sidomos i fuqisë së saj detare ka shkaktuar shqetësim në rajonin e Azisë së Paqësorit, si dhe ka rritur tensionet në kontestet territoriale.

Top Channel