Prova e shqiptarëve në Serbi

04/03/2017 00:00

Atletët shqiptarë, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega do të zbresin sërish në pistën e Kombank Arenat të Beogradit ku po zhvillohet Europiani i Atletikës në salla të mbyllura.

Si Smajlaj, ashtu edhe Gega mundën të kualifikohen për në finale në garat e tyre respektive; në kërcim së gjati dhe në atë të 1500 m për femra.

Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës Gjergji Ruli, pritshmëritë për rezultat pozitiv janë të mëdha, sidomos për Smajlajn, ndërkohë që Gega në disiplinën e saj pati një konkurrencë më të fortë.

“Gjendja e atletëve është shumë e mirë. Them se Izmiri (Smajlaj) do të jetë në top listë, në podiumin e 3 më të mirëve. Ndërsa Luiza Gega ka një sprovë të madhe. Ajo duhet të mbledhë të gjitha forcat në finale për të kapur një vend nderi”, thotë Ruli.

Izmir Smajlaj do të garojë në disiplinën e kërcimit në orën 19:30, ndërkohë që Gega do të zhvillojë garën e saj 15 minuta më vonë.

Top Channel