Mogherini: Vizat, vetëm pas demarkacionit

04/03/2017 00:00

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini e beri të qartë në Prishtinë se pret lajme të mira nga Parlamenti i Kosovës për të ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi.

Kryediplomatja europiane u shpreh se pa demarkacion e pa luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka liberalizim të vizave. Moszbatimi i kushtit të demarkacionit është ai që shqetëson më shumë Mogherinin. Ajo sqaroi se është koha që kjo çështje të votohet në mënyrë që të mos e pësojë populli i Kosovës.  

“Është koha e fundit që të ecim përpara. Është koha që të votoni demarkacionin me Malin e Zi. Kjo do e zhbllokojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi të gatshëm për këtë. I mbetet Parlamentit të vendos”, tha ministrja e jashtme e bllokut europian në konferencën per shtyp me Isa Mustafen.

Nga ana e tij, Mustafa kërkoi mbështetjen e BE-së për kapërcimin e ngërçit të demarkacionit. “Kërkuam ndihmën e Përfaqësueses së Lartë dhe BE-së për kapërcimin e gjendjes që kemi me demarkacionin me Malin e Zi, për shkak të kundërshtimeve që kemi në Parlament”, tha Mustafa.

Mogherini u takua gjithashtu me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi; kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli dhe me liderë të partive politike në vend.

Thaçi u shpreh se BE-ja mbetet destinacioni kryesor për Kosovën dhe shpjegoi se pas takimit me kryediplomaten europiane ka kërkuar të ndërmerren hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave.

Por KTV raporton ndërkohë se kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimeve sa i përket votimit të demarkacionit, ndërsa Ardian Gjini i AAK-së shprehet se ratifikimi i demarkacionit nuk duhet bërë në mënyrën dhe variantin aktual.

Ndërkohë, Mogherini ka vizituar edhe Mitrovicën, ku është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët ka biseduar për një dialog të brendshëm, si mënyra e vetme për të vazhduar marrëdhëniet në rajon. Ajo ka shprehur dëshirën që projekti i urës të jetë një projekt lidhës mes shqiptarëve dhe serbëve.

Top Channel