UEFA parashikon: Zero mundësi për Barcelonën

04/03/2017 00:00

Javën e ardhshme Liga e Kampionëve nis luajtjen e akteve të dyta të vlefshme për fazën e 1/8-ve dhe kur dihen rezultatet e ndeshjeve të para, ekspertët e UEFA-s kanë dalë me një parashikim, që nuk do t’u pëlqejë tifozëve të Barcelonës.

Sipas UEFA-s, Barcelona ka 0 përqind mundësi që të përmbysë rezultatin 4 me 0 të Parc de Prince dhe kualifikimi i PSG-së është thjesht formalitet.

Nuk ka shpresa as për Arsenalin. “Topçinjtë” u shkatërruan 5-1 nga Bajerni i Mynihut në takimin e parë dhe u duhet një mrekulli që ta përmbysin këtë rezultat, por UEFA nuk beson tek mrekullitë…

Reali shihet si favorit në sfidën më Napolin. Në “San Paolo” dy skuadrat luajnë aktin e dytë. Madrilenët kanë fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-1 dhe falë këtij rezultati, sipas UEFA-s, spanjollët kanë 97.3 përqind mundësi që të vazhdojnë më tutje.

Për UEFA-n, edhe Juventusi kalon në çerekfinale. Bardhezinjtë fituan sfidën e parë në Porto me rezultatin 0-2 dhe ndeshja e Torinos nuk parashikohet me surpriza.

Benfica fitoi 1-0 sfidën e parë ndaj Dortmundit dhe kjo, sipas UEFA-s, e bën favorite për të kaluar më tej. 41.6 përqind janë mundësitë e gjermanëve dhe 59.4 përqind për portugezët.

Favorit shihet edhe Manchester City i Pep Guardiolas. Anglezët mposhtën Monakon 5-3 në ndeshjen e parë, rezultat ky që u jep qetësi në përballjen e dytë me francezët.

Sfida më e balancuar shihet ajo mes Leicester dhe Sevilla. Spanjollët fituan 2-1 sfidën e parë, por goli i shënuar u jep shumë shpresë kampionëve në fuqi të Anglisë, që pas largimit të Ranierit duket se kanë rigjetur formën e tyre më të mirë, pasi mposhtën Liverpulin 3-1 në ndeshjen e vlefshme për kampionat.

Top Channel