Demarkacioni, Mustafa: Nuk humbasim asnjë pëllëmbë tokë

04/03/2017 00:00

Qeveria e Kosovës miratoi të premten raportin e grupit të ekspertëve të ngritur për çështjen e shumëdebatuar të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Isa Mustafa thotë se raporti nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe se Kosova nuk humbet asnjë centimetër tokë nga marrëveshja me Podgoricën.

“Raporti konstatoi se sipërfaqja e Kosovës nuk ka ndryshuar për asnjë metër katror si pasojë e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ky Raport është një dëshmi për këtë gjeneratë dhe për gjeneratat e ardhshme se Kosova nuk kemi humbur territor dhe po ashtu, në mënyrë të qartë tregon përkushtimin e kësaj Qeverie që të pasqyrojë faktet e drejta para qytetarëve tanë dhe për ta mbrojtur dhe dëshmuar çdo pëllëmbë të këtij vendi”, thotë Mustafa.

Por pavarësisht këtij raporti dhe qëndrimeve të Qeverisë, në Kuvend nuk janë votat për të ratifikuar këtë marrëveshje. Opozita, por edhe vetë deputetë nga radhët e mazhorancës janë shprehur kundër dhe ngërçi disamujor mund të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Të paktën kështu la të kuptohet Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit. Ai tha se nisur nga klima jo e mirë politike e krijuar, zgjidhja më e mirë do të ishte përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Top Channel