Java e 27-të e Premiere League-s na ofron një përballje tejet interesante, atë midis Liverpool dhe Arsenal.
Krahas emrave të ekipeve dhe futbollistëve që do të përballen në fushë, pozita në renditje e bën edhe më të rëndësishëm këtë takim.
Të dy klubet janë duke luftuar për të siguruar një vend që do ti dërgonte në Champions League sezonin e ardhshëm.
Arsenal dhe Liverpool ndodhen përkatësisht në vend të katërt dhe pestë, me 1 pikë diferencë nga njëra-tjetra dhe vijnë në këtë përballje pas rezultatesh aspak të mira, në ndeshjet e fundit.
Arsenal ka humbur dy nga pesë ndeshjet e fundit në Premiere, por situata është rënduar pas humbjes së thellë ndaj Bayern Munchen, në Champions.
Londinezët janë thuajse të eliminuar nga kompeticioni më i rëndësishëm për klube dhe menjëherë kanë filluar edhe problemet në dhomat e zhveshjes.
Disa lojtarë, me në krye Alexis Sanchez, janë duke bërë gati valixhet dhe nëse “topçinjtë” nuk ia dalin të marrin pjesë në Champions-in e sezonit të ardhshëm do ta kenë të vështirë të ndalin transferimin e tyre.
Nga ana tjetër, edhe Liverpool i Klopp nuk po kalon një moment të mirë. “The reds” kanë humbur tre nga pesë ndeshjet e fundit dhe nuk ju lejohen më hapa fals.
Sigurimi i një vendi në Champions është mjaft i rëndësishëm për Liverpool, duke qenë se këtë sezon djemtë e Klopp nuk garojnë në asnjë kompeticion evropian dhe mund të përqendrojnë të gjithë potencialin e tyre në kampionat.
Top Channel