Dior i rikthehet ngjyrës së preferuar

04/03/2017 00:00

Shtëpia franceze e modës, Christian Dior, sugjeron që garderobat e femrave, dimrin e ardhshëm, të mbushen me blu.

Kjo pasi drejtoresha artistike Maria Grazia Chiuri, ka përzgjedhur një nga ngjyrat e preferuara të stilistit themelues të markës luksoze për koleksionin e saj të fundit.

Në sfilatën vjeshtë-dimër 2017-2018 të Diorit, të mbajtur në muzeun Rodin në Paris, modelet parakaluan të veshura me hije të ndryshme të blusë, pa lënë mënjanë as të bardhën e të zezën.

“Bluja është ngjyra që ka të njëjtat cilësi si e zeza”, thoshte vetë i madhi Dior, dhe kjo duket se ka bërë që Chiuri të zgjedhë blunë.

Për sa i takon aksesorëve, stilistja kishte përzgjedhur berretat, varëset me gurë të mëdhenj dhe çanta po ashtu të mëdha. Po ashtu, u panë në pasarelë, këpucë klasike me taka, këpucë të sheshta dhe çizme deri tek gjuri.

Ndër yjet që kishin zënë vend mes spektatorëve, ishin Rihanna, Alicia Keys, Sienna Miller, Kate Moss dhe Uma Thurman.
 
Parisi është qyteti i fundit që vulos tendencat e modës për sezonin vjeshtë-dimër, pas pasarelave që më herët janë ndalur në New York, Londër dhe Milano.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel