Emigrimi i paligjshëm, Trump do të ndajë gratë nga fëmijët

03/03/2017 00:00

Emigracionin e paligjshëm nga Meksika, presidenti amerikan Donald Trump pritet të luftojë duke udhëzuar autoritetet amerikane të ndajnë gratë dhe fëmijët, që kalojnë së bashku kufirin drejt Shteteve të Bashkuara. Propozimi është duke u konsideruar nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme, sipas tri zyrtarëve qeveritarë.

Aryeja e këtij propozimi, ndër të tjera është edhe pengimi i nënave të migrojnë drejt Shteteve të Bashkuara të shoqëruara nga fëmijët, sipas zyrtarëve, të cilët janë informuar mbi këtë zhvillim.

Kjo kthesë politike do t’i lejonte qeverisë të mbante prindërit në paraburgim për sa kohë që ata sfidonin deportimin apo prisnin seancat dëgjimore të kërkesave për azil. Fëmijët do të vendoseshin nën kujdestarinë e Departamenti të Shëndetit dhe Shërbimeve Humane, në një mjedis “shumë më pak kufizues”, derisa ata të mund të merren në përkujdesje nga të afërm në Amerikë apo kujdestarë të sponsorizuar nga shteti.

Aktualisht, familjet që sfidojnë deportimin apo aplikojnë për azil përgjithësisht lirohen nga paraburgimi në mënyrë të menjëhershme dhe lejohen të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara derisa jepet vendimi për çështjet e tyre gjyqësore. Ndërkohë, një vendim i gjykatave të apelit ndalon mbajtjen për një kohë të gjatë të fëmijëve në paraburgim.

Presidenti Donald Trump ka bërë thirrje për t’i dhënë fund të ashtuquajturës “kap e lësho”, një politikë sipas së cilës emigrantët e paligjshëm lirohen dhe lejohen të jetojnë në SHBA në pritje të procedurave ligjore.

Rreth 54 mijë fëmijë dhe kujdestarët e tyre janë kapur nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 31 janar të këtij viti, më shumë sesa dyfishi i atyre që janë ndaluar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Republikanët në Kongres thonë se gratë tentojnë të riskojnë me udhëtimet e rrezikshme të shoqëruara me fëmijët, sepse në këtë mënyrë atyre u sigurohet lirimi i shpejtë nga paraburgimi dhe u jepen datat e gjyqit që mund të kërkojnë edhe vite kohë.

Top Channel