Mungesa e votave, Demarkacioni drejt Arbitrazhit

03/03/2017 00:00

Duke qenë se aktualisht jo vetëm opozita, por edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve nga radhët e partive në pushtet nuk e mbështesin marrëveshjen aktuale, me bindjen se shënjimi i vijës kufitare është bërë në dëm të territorit të Kosovës, e ardhmja e “Demarkacionit” mbetet në udhëkryq.

Por, nisur nga klima jo e mirë politike e krijuar në Kuvend, nënkryetari i këtij institucioni Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Çështja e Demarkacionit, sipas tij është politizuar së tepërmi, ndaj zgjidhja duhet gjetur jashtë Kuvendit.

Në anën tjetër, edhe analisti Arben Qirezi thotë se, nëse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi mund të bien dakord që çështja të procedohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Një zhvillim i tillë është parë më parë me shtetet e ish-Jugosllavisë edhe në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë.

Por Qirezi preferon që të dy vendet të shohin edhe mundësinë e rishikimit të marrëveshjes aktuale.

Ndërkohë, analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës Albert Krasniqi thotë se, Kosova fillimisht duhet të ketë një qëndrim zyrtar nëse e pranon apo jo marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, në mënyrë që më pastaj të ndiqen procedurat e tjera. Ky qëndrim, thekson ai, arrihet përmes procedimit të marrëveshjes për ratifikim në Kuvend nga ana e qeverisë. Në rast se sërish nuk ka vota dhe dështon ratifikimi i saj, atëherë vijnë edhe opsionet e tjera.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi i është vënë Kosovës si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Europian.

Top Channel