Beteja e Mosulit, regjistrohet sulmi i parë “kimik”. 12 të plagosur

03/03/2017 00:00

Dymbëdhjetë civilë kanë mbetur të plagosur në Mosul, në atë që konsiderohet si sulmi i parë me armë kimike në betejën që po zhvillohet për t’i hequr bastionin e fundit militantëve të Shtetit Islamik nga kontrolli.

Një mjek i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC) i ndodhur në Irbilin fqinj, konfirmoi incidentin për medien britanike “BBC”. Një djalosh 11-vjeçar ka pësuar probleme të rënda në sistemin e frymëmarrjes dhe lëkurë, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe një foshnje njëmuajshe. Mjeku i Kryqit të Kuq tha se substanca e përdorur ende nuk është përcaktuar, por ky rast po trajtohet si një sulm kimik.

Të dëmtuarit duket se janë shkaktuar nga dy incidente të ndara, kur një mortajë goditi shtëpitë në lindje të Mosulit, e ku viktimat u ankuan për një erë të rëndë kimike. Simptomat e viktimave tregojnë se ata janë ekspozuar ndaj një “agjenti kimik të ashpër”, tha drejtori i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme, Robert Mardini. Mes simptomave janë flluska në lëkurë, skuqje të syve, irritime, kollitje dhe vjellje.

Përdorimi i armëve kimike, kujtoi shefi i Kryqit të Kuq në Lindjen e Mesme, është i ndaluar nga ligji ndërkombëtar.

Ende nuk dihet se kush është përgjegjës për sulmin, por mortajat duket se janë lëshuar nga Mosuli perëndimor, i cili mbahet ende nën kontrollin e militantëve të Shtetit Islamik. ISIS dyshohet prej kohësh se ka mundur të prodhojë dhe të përdorë armë kimike të papërpunuara në territoret e kontrolluara prej tij në Irak dhe Sirinë fqinje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është në dijeni të rastit dhe se po punon me “ICRC”-në për të qenë të përgatitur në rast përsëritjeje të tij.

Top Channel