Udhëheqësit opozitarë prorusë në Malin e Zi i kanë kërkuar kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë ndihmë për të bllokuar përpjekjen për anëtarësim të vendit ballkanik në NATO-s, duke argumentuar se administrata “Obama” ka paraqitur fakte të rreme në lidhje me gatishmërinë e tij për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

Dy zyrtarët e opozitës, Andrija Mandiç dhe Milan Knezeviç i kanë shkruar një letër Steve Bannonit, këshilltarit më të lartë të presidentit amerikan Donald Trump, ku kërkojnë që Senati amerikan të votojë kundër pranimit të Malit të Zi. Votimi në fakt është bllokuar, për shkak të kundërshtimeve nga dy senatorë.

Deri më tani, 25 nga 28 anëtarët e NATO-s kanë miratuar kërkesën për anëtarësim të Malit të Zi, por miratimi i Shteteve të Bashkuara konsiderohet si ai vendimtari.

Qëndrimi i Trumpit ndaj NATO-s, të cilën gjatë fushatës presidenciale e quajti si një organizatë “të vjetëruar”, si dhe deklaratat pozitive të tij rreth presidentit rus Vladimir Putin kanë nxitur shqetësime në Malin e Zi fqinj, se vendi mund të mos sigurojë mbështetjen e SHBA-ve përballë përpjekjeve për ndikim më të zgjeruar në Ballkan nga Kremlini.

Opozita malazeze ka bojkotuar Parlamentin që prej zgjedhjeve të tetorit, kur qeveria properëndimore e Malit të Zi e akuzoi atë për përpjekjen e grushtit të shtetit prorus që përfshinte gjithashtu edhe planet e pretenduara për të marrë pushtetin duke vrarë ish-kryeministrin Milo Djukanoviç, pikërisht për shkak të kërkesës për anëtarësim në NATO.

Letra, e shkruar në emër të koalicionit të partive opozitare të quajtur “Fronti Demokratik”, paralajmëroi se situata e sigurisë në Mal të Zi është tejet “komplekse” dhe se “çështja e marrëdhënieve me NATO-n kërkon kujdes të veçantë”. Në të shtohej se Bannon duhet të marrë një “panoramë të qartë” të situatës në vendin fqinj, përpara se të jepet vendimi përfundimtar.

Mandiç dhe Knezeviç pretendojnë se Shteteve të Bashkuara u janë paraqitur “fakte të rreme dhe informacione sipërfaqësore” në lidhje me Malin e Zi nën administratën “Obama”. Ata thonë se Mali i Zi është thellësisht i përçarë mes atyre që kërkojnë anëtarësimin në NATO dhe atyre që e refuzojnë diçka të tillë.

Rusia, prej kohësh e ka kundërshtuar fuqishëm zgjerimin e NATO-s në Europë, veçanërisht nëse bën pjesë të sajën edhe vende si Mali i Zi, i konsideruar në të kaluarën si një aleat i afërt me Moskën.

Top Channel