De Biasi, emergjencë në mbrojtje përpara Italisë

03/03/2017 00:00

Muaji mars i rezervon kombëtares shqiptare të futbollit transfertën më të vështirë në kualifikueset e Botërorit 2018, por skuadra e Gianni De Biasit nuk është në një situatë optimale për sfidën ndaj Italisë.

Si për ironi të fatit, ndaj mjeshtrave të “Catenaccio”-s, kuqezinjtë do të vuajnë problemet në prapavijë për shkak të dëmtimeve apo pezullimeve.

Duke llogaritur mungesën e Etrit Berishës në kuadratin e portës dhe garancia që nuk është me shtatlartin kosovar, tifozët nuk mund të qetësohen as me atë që prezantohet para portierit, qoftë ky Hoxha apo Strakosha.

Mërgim Mavraj ka pësuar këtë javë një dëmtim në gju në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë. Katër javë rehabilitim për 30-vjeçarin e lindur në Hanau, çfarë e lë jashtë ndeshjes në Palermo.

Dëmtimi i Mavrajt vendos në alarm si kombëtaren, ashtu dhe Hamburgun, pasi është shtyllë kryesore në prapavijë, por jo vetëm kaq. Berat Gjimshiti po bën paraqitje të mira tek Avellino, por ka një pezullim të vlefshëm që e lë jashtë sfidës me Italinë. Ajeti prezantohet pa shumë zgjidhje si opsion në skemën e De Biasit, por forma e tij me oshilacione te Torino mund ta lërë ndoshta dhe jashtë grumbullimit.

Burim Kukeli është mes atyre që ka dhënë prova të mira në çdo rol, por mbetet të shohim se kë mund të ketë në qendër të mbrojtjes në Palermo. Taulant Xhaka, që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Zurichut në Kupë, mund të spostohet gjithashtu në mbrojtje. Shqipëria ndodhet në vendin e katërt në kualifikueset e Botërorit, me 6 pikë në 4 ndeshje.

Top Channel