Parlamenti Europian do të shtyjë votën plenare për rezolutën mbi Maqedoninë, nëse ky vend nuk formon qeverinë javën e ardhshme.

Agjencia maqedonase e lajmeve “MIA”, bazuar në burimet e saj në Bruksel shkruan se, anëtarët e PE-së nuk do të adoptojnë rezolutën, nëse nuk ka asnjë rezultat nga Maqedonia.

Deputetët europianë thonë se seanca ishte parashikuar të mbahej më 14 dhe 15 mars, kur do të miratohej rezoluta për vendet ballkanike. Por, për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi më 2 prill, për këtë vend u shty rezoluta.

E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. Nëse Shkupi nuk arrin të ketë një qeveri të re deri më 13 mars, Parlamenti Europian do të shtyjë votimin e rezolutës për të.

Komiteti i Punëve të Jashtme i PE-së miratoi projektrezolutën për Maqedoninë javën e kaluar me 54 vota pro dhe 8 kundër.

Rezoluta konfirmon rekomandimin e 8 radhazi të Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë. Por, bazuar në situatën politike në Shkup, gjasat janë që jo vetëm rezoluta të shtyhet, por edhe rekomandimi të hyjë në radhën e të tjerëve para tij, që nuk sollën asnjë të re.

Top Channel