Turqia akuzon Gjermaninë për standarde të dyfishta

03/03/2017 00:00

Vendimi i dy qyteteve gjermane për të penguar fjalimin e dy ministrave turq për mbështetësit e presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë.

Ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu e ka akuzuar partnerin në NATO për standarde të dyfishta, duke e paralajmëruar atë të mësojë si të sillet, nëse do të ruajë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Qëndrimi i Gjermanisë nuk ka të bëjë aspak me demokracinë dhe lirinë e shprehjes. Një vend që është përpjekur të ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve të tjera, duke përdorur si levë pikërisht këto vlera, tani po pengon ngjarje të tilla. Kjo tregon se Gjermania dhe Perëndimi po aplikojnë standarde të dyfishta”, tha Mevlut Cavusoglu.

Qyteti jugperëndimor gjerman i Gaggenaut tërhoqi lejen për një aktivitet publik, ku duhej të fliste ministri turk Bekir Bozdag, duke cituar mungesën e hapësirës për parkim. Fjalimi i planifikuar për të enjten do të ishte pjesë e përpjekjeve për të siguruar mbështetje mes 1.5 milionë shtetasve turq në Gjermani, për një referendum që do të mbahet në muajin prill, lidhur me zgjerimin e fuqive presidenciale të Erdogan.

Bozdag anuloi takimin me homologun e tij gjerman dhe u kthye në Turqi. Në Ankara, Ministria e Jashtme turke thirri ambasadorin gjerman, për t’i kërkuar shpjegime. Edhe qyteti i Këlnit bllokoi një aktivitet të parashikuar për të dielën, ku do të fliste ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybecki, mes shqetësimeve të sigurisë.

“Nëse doni të ruani marrëdhëniet me ne, duhet të mësoni si të silleni. Nuk mund të përdorni metoda të tilla, pasi ne do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Ky është mesazhi ynë për Gjermaninë”, tha Cavusoglu.

Komentet reflektojnë raportet e vështira mes dy vendeve, të vënë në provë së fundmi pas arrestimit në Turqi të një korrespondenti të medias gjermane “Die Velt”.

Top Channel