Francë, Fillon braktiset nga “anija e tij në mbytje”

03/03/2017 00:00

Rritet në mënyrë konstante presioni ndaj kandidatit presidencial të dërrmuar nga skandali, François Fillon për të hequr dorë nga gara, ndërsa dhjetëra deputetë dhe senatorë kanë braktisur së fundmi fushatën e tij, duke paralajmëruar se po e çon të djathtën franceze drejt katastrofës elektorale.

Thierry Solère, deputet dhe ish-shef i fushatës së Fillon, ishte i fundit nga thuasje 60 zyrtarë të zgjedhur, që braktisën kandidatin dhe atë që mbështetësin e shqetësuar të partisë po e quajnë “anija që po mbytet” e Fillon.

Në të njëjtin kuadër, ish-ministrja e djathtë Nadine Morano tha se Fillon duhet të dorëhiqet si kandidat, pasi ka marrë një rrugë pa krye dhe, ndërsa mundësitë e tij elektorale janë zvogëluar qartësisht, mund të dëmtojë rëndë të djathtën.

Fillon pranoi këtë javë se po hetohet për paga të konsiderueshme që kanë marrë gruaja dhe fëmijët e tij pa bërë asnjë punë dhe, megjithëse ka mohuar çdo gabim, sondazhet tregojnë se popullariteti i tij është në rënie të lirë. Arsye, përse ekspontentët e së djathtës franceze kërkojnë që ai të braktisë garën dhe të zëvendësohet nga dikush tjetër, për të kufizuar sa më shumë dëmet politike.

Megjithëse nuk mbështetet nga e gjithë e djathta, duket se Alain Juppe, ish-kryeministër dhe kryebashkiaku aktual i Bordosë, është gati ta zëvendësojë. Por këmbëngulja e Fillon për të vazhduar garën është një pengesë e madhe, ndërsa e djathta franceze i drejtohet zgjedhjeve me shumë telashe.

Top Channel