Drejtor i Forumit të Sigurisë në Beograd, Marko Savkoviç analizon zhvillimet më të fundit në Ballkan dhe ndikimin rus. Ai thotë në një intervistë për Top Channel se pavarësisht interesit ekonomik, Moska nuk mund të ndalë dot integrimin europian të vendeve të Ballkanit, si edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

“Është një situatë shqetësuese në Shkup sepse po e përfshin të gjithë Maqedoninë në situatë krize të rrezikshme. Unë mendoj që kur ekziston një opsion politik që ka mazhorancën në Parlament, ai grupim deputetësh duhet të marrë mandatin për të krijuar qeverinë e re. Ne jemi të shqetësuar për ndikimin që kjo mund të sjellë në shtetet përreth duke patur parasysh marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike. Të gjithë faktorët ndërkombëtarë po i bëjnë thirrje Presidentit Ivanov të japë mandatin për krijimin e qeveris së re. Kjo duhet bërë sa më parë sepse është në interes të qytetarëve me kombësi maqedonase, po ashtu edhe për shqiptarët. Kjo krizë duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore”, thotë analisti serb i sigurisë.

Sa i takon ndikimit rus në rajon…

“Rusia nuk ka klientë të sinqertë në rajon, por mund të vijojë të luajë rolin e ngatërrestarit përfitues duke përdorur sherret dhe konfliktet mes shteteve ballkanike si një mundësi për të qenë për një kohë të gjatë faktor në rajon. ”, thotë Savkoviç.

Savkoviç shton se ndërhyrja ruse mund të ngadalësojë, por nuk mund të bllokojë proceset integruese të rajonit si në Bashkimin Europian, ashtu edhe në NATO.

Top Channel