Debati për të ardhmen e Skocisë, përplasen kryeministret

03/03/2017 00:00

Brexit ka rinxjerrë në pah edhe një herë çështjen e të ardhmes së Skocisë në Britaninë e Madhe, pasi skocezët, ndryshe nga anglezët dhe pjesa tjetër e Britanisë, votuan në shumicë që të mos shkëputen nga Bashkimi Evropian.

Kjo është edhe arsyeja përse dy gratë që drejtojnë respektivisht Britaninë dhe Skocinë, Theresa May dhe Nicola Sturgeon, janë në pozicione diametralisht të kundërta se çfarë do duhet të ndodhë me Skocinë pas Brexit.

Ajo që faktikisht është kryeministrja e qeverisë së Skocisë, zonja Sturgeon, kërkon një referendum të dytë, ndërkohë që kryeministrja britanike Theresa May thotë se Partia Nacionaliste që qeveris Skocinë ka “vizion tuneli”, pra të ngushtë për çështjen e pavarësisë nga Britania. Theresa May, e cila ndodhet në Skoci për konferencën e konservatorëve, që janë partia e dytë më e madhe në Skoci, duke kaluar laburistët për herë të parë në zgjedhjet e fundit, këmbëngul se “politika nuk është lojë”.

Ndërkohë, ka refuzuar deri më sot për tu përfshirë në deklarime nëse do të lejojë një referendum të dytë ose jo për pavarësinë, siç e kërkojnë pas Brexit nacionalistët skocezë. Sakaq, ministrja e parë e Skocisë, Sturgeon thekson se qeveria e May “nuk ka mandat në Skoci”. Qeveria skoceze ka botuar një dokument prej 60 faqesh, ku ka parashtruar propozimet që ajo beson se do i lejojnë Skocisë që të qëndrojë brenda tregut të vetëm në BE, edhe nëse pjesa tjetër e Britanisë, ku ajo bën pjesë, largohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministrja e Skocisë thotë se pas Brexit, referendumi i dytë për pavarësinë e Skocisë është i pashmangshëm. Gjatë fushatës për referendumin e Brexit, mbështetësit e qëndrimit në BE kanë argumentuar fuqishëm se nëse Britania do të largohej nga BE-ja, siç u votua, një nga efektet anësore do të ishte pikërisht kërkesa për referendum të dytë, nëse skocezët, siç pritej, do të votonin pro qëndrimit të Britanisë në BE.

Top Channel