Ekspertët ligjorë në Maqedoni mendojnë se presidenti Gjorgje Ivanov i ka kapërcyer kompetencat e tij me refuzimin për t’i dorëzuar liderit social-demokrat Zoran Zaev mandatin e krijimit të qeverisë.

Ata lënë të kuptohet se ka mënyra për ta anashkaluar vullnetin e kreut të shtetit. Sipas njohësve të mirë të dokumentit themeltar maqedonas, presidenti nuk ka të drejtë të bllokojë krijimin e një koalicioni të ri qeverisës dhe nëse e bën këtë, atëherë shumica në Parlament duhet ta shmangë veton e tij.

Duke kujtuar se Maqedonia është republikë parlamentare dhe jo presidenciale, ku sovranitetin e popullit e përfaqëson Parlamenti dhe jo kryetari i shtetit, ata sqarojnë se ky i fundit nuk e ka fuqinë që të vendosë mbi vullnetin kolektiv të ligjvënësve.

Sipas ekspertëve të së drejtës kushtetuese, mazhoranca parlamentare mund të zgjedhë një qeveri të re duke iu referuar 67 firmave që Zaevi ka mbledhur me ndihmën e partive shqiptare. Parlamenti maqedonas ka gjithsej 120 vende.

Respektimin e vullnetit të shumicës e kërkoi dhe Federica Mogherini gjatë vizitës së një dite më pare në Shkup. “Askush nuk do të mund të bindte të tjerët në një botë demokratike se një shumicë të pjestarëve të Parlamentit që përfaqëson shumicën e qytetarëve të një shteti nuk mund t’i lejohet formimi i qeverisë”, tha Mogherini në Shkup.

“Kjo thyen shpirtin e demokracisë”, shtoi kryediplomatja europiane dhe bie ndesh me parimet e saj. Argumenti i Ivanovit përpara kërkesës së Mogherinit ishte se nuk mund të mandatojë askënd që shkel Kushtetutën dhe negocion mbi platformen e një vendi të huaj. Rusia ndërkohë reagoi me një deklaratë të postuar në faqen e ministrisë së saj të Jashtme ku thotë se anëtarë të lidershipit të BE-së dhe Nato-s po përpiqen t’i imponojnë Shkupit platformën shqiptare, e cila ripërvijon sipas Moskës harëen e “Shqipërisë së madhe”.

Ajo flet për aspirata territoriale, në listën e të cilave e thekson si veçanërisht shqetësuese shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

“Ne besojmë se lëvizja e tyre është ekstremisht e rrezikshme dhe ka qëllimin të anihilojë shtetësinë në Maqedoni e të destabilizojë të gjithe rajonin e Ballkanit”, vazhdon deklarata.

Akoma më i ashpër është artikulli i agjensise ruse të lajmeve Sputnik, që shkruan se aleanca ushtarake dhe blloku europian janë të gatshme të shohin gjak në rruget e Maqedonisë për projektin e “Shqipërisë së madhe”.

Top Channel