Portieri i Kukësit shpallet lojtari i muajit

03/03/2017 00:00

Enea Koliqi është shpallur si futbollisti më i mirë i muajit shkurt. Portieri i Kukësit e mori këtë çmim duke dhënë edhe një konferencë për shtyp ku ai u shpreh se ndihet i nderuar për këtë vlerësim dhe se gjithçka është arritiur falë punës së bërë në skuadër.

Enea Koliqi në këtë sezon ka pësuar vetëm 9 gola ndërkohë që në 16 raste ka mundur të mbajë të paprekur portën e tij. Për portierin e skuadrës veri-lindore ajo që ka më shumë rëndësi është fitimi i titullit kampion dhe për këtë arsye duhen fituar ndeshjet që kanë mbetur duke nisur nga ajo e kësaj fundjave me Flamurtarin që ndodhet në situatë të vështirë.

“Pavarësisht që kundërshtari është në një pozicion jo shumë të mirë, është një kundërshtar që duhet vlerësuar në maksimum në një fushë shumë të vështirë. Besoj që do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, por do përpiqemi të marrim pikë të plota. Nuk duhet të humbasim asnjë pikë sepse kampionati është në përfundim. Nuk na intereson se çfarë bëjnë ekipet e tjera, ne jemi të përqendruar tek loja jonë”, thotë portieri i kuksianëve.

Paraqitja e mirë e Koliqit në kampionat ka shtyrë drejtuesit e Kukësit që t’i propozojnë trajnerit De Biasi për ta grumbulluar atë në Kombëtare.

“Kjo është në dorën e trajnerit. Nëse më vjen ftesë, do ta pranoj”, thotë Koliqi.

Top Channel