CNN: Diplomati rus, spiun; Zemërohet Moska

03/03/2017 00:00

Raportet e CNN-it se ambasadori rus në Uashington është agjent e kanë zemëruar Moskën. Gjiganti mediatik njoftoi të mërkurën se përfaqësuesi i lartë i shtetit rus, Sergey Kislyak konsiderohet nga shërbimet amerikane të inteligjencës si kryespiuni dhe kryerekrutuesi i Rusisë në Uashington.

Por zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova këmbëngul se Kislyak është një diplomat shumë i respektuar i klasit botëror.

“Ai ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme në Rusi dhe ka komunikuar me kolegët amerikanë për dekada të tëra në fusha nga më të ndryshmet, ndërsa CNN-i e akuzon si spiun, apo rekrutues? Zot i madh!”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

Akuzat e medias ndaj ambasadorit rus vijnë në kohën kur prokurori i Përgjithshëm i Amerikës, Jeff Sessions përballet me thirrjet e demokratëve për dorëheqje. Zyrtari i lartë i administratës së re e pranoi së fundi se është takuar dy herë me ambasadorin rus gjatë fushatës presidenciale, kur ishte senator dhe këshilltar i Trumpit, diçka që bie në kundërshtim me deklaratat e bëra prej tij gjatë seancave të konfirmimit në Kongres.

Sessions hedh poshtë çdo lloj aludimi se është përpjekur të gënjejë rreth kontakteve me rusët e këmbëngul se në takimet e zhvilluara nuk është diskutuar fushata elektorale. Një ditë më parë, ai njoftoi se do të tërhiqet nga hetimi federal rreth ndërhyrjes së Rusisë në Presidencialet e 2016-s.

Top Channel