Francë, policia ushtron kontroll në shtëpinë e Fillon

02/03/2017 00:00

Hetuesit francezë kanë kryer kontrolle në shtëpinë në Paris të kandidatit presidencial, François Fillon. Kontrolli erdhi si pjesë e një hetimi për një post të rremë pune për gruan e tij, që përbën një problem të madh për fushatën e tij.

Fillon mohon akuzat dhe është përpjekur të ecë përpara në garën presidenciale, pavarësisht presionit në rritje. Ai ka thënë se është viktimë e një “vrasjeje” politike. Mediet franceze shkruajnë se bashkëshortja e tij është paguar 831.400 euro për disa vite, si asistente parlamentare e Fillon dhe pasuesit të tij, në mënyrë fiktive.

Në fillim të fushatës, Fillon konsiderohej si favorit për të fituar postin e presidentit, por ky skandal i fundit duket se po i kushton shtrenjtë atij, të paktën siç tregojnë sondazhet. Një tjetër goditje, ndërkohë, ka pësuar në ambicien e saj presidenciale edhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen e Frontit Nacional, të cilës Parlamenti Europian i hoqi imunitetin nga përndjekja penale pas postimit në “Twitter” të fotografive që tregonin dhunën e Shtetit Islamik.

Le Pen është aktualisht nën hetim në Francë për nxjerrjen e 3 fotove nga ekzekutimet e ISIS-it në vitin 2015, përfshirë këtu prerjen e kokës së gazetarit amerikan, James Foley. Sipas sondazheve, ajo kishte gjasa të fitonte raundin e parë të zgjedhjeve në prill, por në balotazhin e majit pritet gjerësisht që të dalë fitues Macron, që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje.

Top Channel