Dënimi i Partizanit, FSHF jep 8 rastet e trazirave nga “të kuqtë”

02/03/2017 00:00

Polemikat që shoqëruan pasndeshjen Kukësi-Partizani u pasuruan me reagimin e të dyja skuadrave të futbollit shqiptar dhe dënimin e dhënë nga Disiplina.

Por edhe pse një peshore që mbetet për t’u diskutuar, FSHF ka sqaruar Partizanin se përse mori pjesën më të madhe të faturës për incidentet në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

“Duke mirëkuptuar ndjesinë e tifozerisë së kuqe, shprehim keqardhjen ndaj saj. Por rastet e përsëritura ndjeshëm gjatë këtij sezoni nga ana e tifozerisë janë bërë shkak për dënimin e skuadrës”, thuhet mes të tjerave në reagimin e FSHF-së.

Sipas “qeverisë” së futbollit shqiptar, janë të paktën 8 raste kur sjellja e gabuar e tifozëve është regjistruar këtë sezon.

Në javën e parë dhe në ndeshjen ndaj Luftëtarit, “demat e kuq” u ndëshkuan me gjobë, ndërsa më keq e pësuan në derbin ndaj Tiranës më 28.09.2016, kur fusha u pezullua për një ndeshje. Problemet e tifozerisë së kryeqytetasve vazhduan edhe ndaj Korabit në transfertë, si dhe në javën e nëntë ndaj Skënderbeut.

Partizani u paralajmërua për trazirat edhe përpara ndeshjes ndaj Teutës, e më pas në derbin tjetër me bardheblutë, për të kulmuar së fundmi me reagimin e fundit të Disiplinës, me fokus ndeshjen ndaj Kukësit.

Top Channel