Masa shtesë nga Rusia: Identitet special për Botërorin 2018

02/03/2017 00:00

Në pritje të asaj se çfarë do të rezervojë fundi i fushatës kualifikuese për Botërorin e futbollit në vitin 2018, Rusia ka nisur të implementojë plane shtesë për mbarëvajtjen e turneut, që mbledh më të mirët e globit.

Tifozët që do të jenë të pranishëm në Kupën e Botës, si dhe në Kupën e Konfederatave këtë verë, do të duhet të kenë me vete karta identiteti speciale para se të lejohen për të hyrë në stadiume.

Huliganizmi masiv që u verifikua në disa raste në “Euro 2016”, por gjithashtu dhe rreziku i akteve terroriste janë kthyer në shqetësim për turnetë madhorë të FIFA-s, sidomos pas kërcënimeve në rritje nga grupimet famëkeqe ruse. Këta të fundit ishin autorë të përleshjeve të dhunshme në Marsejë, në Europianin e vitit të kaluar, para dhe pas ndeshjes me Anglinë.

“Çdo tifoz do të detyrohet të marrë një kartë identiteti të dizenjuar për tifozët dhe vetëm kështu mund të hyjë në stadiume, si në Kupën e Konfederatave këtë verë, ashtu dhe në Botërorin e vitit të ardhshëm. Ajo çfarë mund t’iu siguroj është se, në Rusi do të ketë një festival të vërtetë futbolli dhe në të nuk do të kenë vend ata që nuk e pëlqejnë këtë lojë”, tha Colin Smith, drejtor i Turneve, FIFA.

Kartat speciale të identitetit do të përfshijnë fotografinë dhe gjeneralitetet e tifozëve dhe do të përdoren në vend të vizave për të hyrë në Federatën Ruse. Nëse Shqipëria do të kualifikohet në Botërorin e 2018-s, tifozët kuqezi do t’i nënshtrohen të njëjtit proces, si mbështetësit e kombëtareve të tjera finaliste.

Top Channel