Francë, Macron shpall programin: Të pastrojmë moralin e politikës

02/03/2017 00:00

Emmanuel Macron, kandidati i pavarur i qendrës që kandidon për postin e presidentit të Francës, ka premtuar se do të hartojë ligje të reja që do të pastrojnë moralin e vrazhdë të politikës franceze, në atë që konsiderohet si një goditje ndaj rivalit të tij nga e djathta të përfshirë në një skandal, François Fillon.

Ish-ministri 39-vjeçar i Ekonomisë, i cili nuk ka garuar kurrë më parë në zgjedhje dhe që themeloi lëvizjen e tij politike më pak se një vit më parë, zbuloi këtë të enjte disa prej propozimeve të programit të tij, duke sfiduar kështu kritikët që thonë se qëndrimi i tij as majtas dhe as djathtas do të sillte për pasojë një mjegull të detajeve të politikave të tij.

Macron tha se do t’i jepte fund nepotizmit dhe konfliktit të interesit në politikë, duke propozuar ndalimin e deputetëve dhe senatorëve të punësojnë pjesëtarë familjeje që shërbejnë si këshilltarë teksa janë në një post, ndërkohë që do të bëhet edhe një shqyrtim i thellë i shpenzimeve parlamentare. Ai tha se, pavarësisht se ka shumë deputetë të pastër që i zbatojnë ligjet, votuesit këmbëngulin për më shumë “moral” në politikë. “Unë besoj në politikën e tolerancës zero në këtë aspekt”, tha ai.

Fillon, i cili garon në siglën e partisë së djathtë “Les Republicains”, mund të përballet shumë shpejt me akuza, pas hetimit nëse u ka ofruar bashkëshortes dhe fëmijëve të tij pozicione pune si asistentë, që financohen nga paratë e taksapaguesve francezë, duke mos kryer në realitet asnjë funksion të tillë.

Kandidati Fillon premtoi gjatë kësaj jave se do të vijonte garën për president pavarësisht hetimit formal ndaj tij, ndërsa lëshoi edhe një sulm të ashpër ndaj sistemit të drejtësisë franceze, por dhjetëra deputetë të partisë së tij, senatorë dhe këshilltarë janë tërhequr nga fushata e tij, duke i bërë madje edhe atij thirrje për t’u tërhequr.

Me rënien e Fillon nëpër sondazhe, Macron ka ngjitur shkallët duke u bërë pretendenti kryesor për t’u përballur me kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen të Frontit Nacional, në balotazhin e muajit maj. Megjithatë, gara mbetet ende e hapur dhe e paparashikueshme.

Të enjten, Macron u ankua se të diskutuarit e vazhdueshëm mbi korrupsionin në garën presidenciale po linte në hije debatin e vërtetë. Edhe Marine Le Pen përballet me një hetim formal për keqpërdorim të fondeve të Parlamentit Europian.

Mes propozimeve kryesore ishte ai për të rishikuar në mënyrë radikale sistemin francez të pensioneve, duke zbutur diferencat e mëdha mes pensioneve të individëve dhe punonjësve qeveritarë, ndërsa do të mbetet e pandryshuar mosha e daljes në pension 62 vjeç.

Franca është përshkruar shpesh si “vend i pareformueshëm”, për shkak të protestave që pushtojnë rrugët në çdo përpjekje të qeverive të kaluara për të miratuar ligje të reja. Por Macron e la mënjanë këtë aspekt, duke thënë se gjërat do të bëhen përmes ndryshimeve të vogla. “Nuk do të kërkojmë të reformojmë, por të transformojmë”, tha ai. “Do të kemi legjitimitet të plotë demokratik bazuar mbi një program të qartë”. Fillon pritet të shpallë programin e tij javën e ardhshme.

Top Channel