Mogherini: Ivanov, kthe vendimin! Presidenti maqedonas nuk tërhiqet

02/03/2017 00:00

Shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e ndodhur në Maqedoni në një kohë kur kriza politike atje ka njohur limite të reja, ka ftuar presidentin e vendit, Gjeorge Ivanov të reflektojë, të tërheqë vendimin e marrë një ditë më parë dhe të japë mandatin për krijimin e qeverisë së re.

“Kërkojmë nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, të mos shkelë parimin themelor të demokracisë, të ndryshojë vendimin për mosdhënien e mandatit kreut të opozitës, Zoran Zaev”, tha Federica Mogherini.

Pavarësisht këtij apeli, presidenti Ivanov tha se i kishte kërkuar Mogherinit që BE të dënonte ndërhyrjen në politikën e brendshme të Maqedonisë. Ai nënvizoi edhe një herë se nuk do të mandatojë për krijimin e qeverisë së re, askënd që pranon platforma të shteteve të tjera, platforma këto që cënojnë unitetin e Maqedonisë.

Ndërkohë, pretendenti për krijimin e qeverisë së re, Zoran Zaev tha se vizita e zonjës Mogherini në Maqedoni, veçanërisht në këto kohë të vështira, përbën një mbështetje serioze për vendin.

“67 mandatet janë kusht normal demokratik për dhënien e mandatit për përpjekje të formimit të qeverisë. Pritjet e BE-së janë se qeveria e ardhshme, nëse tregon rezultat në përkushtimin për reforma, do të ketë më shumë arsye që BE ta shpejtojë procesin për bisedimet e anëtarësimit në BE”, tha Zaev.

Ndërsa udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur nga faqja e tij në “Facebook”, ku ai, përkrah një fotoje me Mogherinin shkruan: “Për 16 vite kemi punuar bashkë dhe çdo arritje është e përbashkët me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të. Ne kemi qenë, jemi dhe do mbetemi partnerë të komunitetit ndërkombëtar. Kriza institucionale dhe ajo e sistemit nuk mund të kthehet në krizë ndëretnike dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur një zgjidhje politike”.

Kryediplomatja e BE-së është takuar edhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili nuk ka pranuar të flasë për gazetarët dhe as nuk ka komentuar vendimin e presidentit Ivanov; përfaqësuesin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela; kreun e lëvizjes Besa Bilal Kasami, si dhe kryetarin e dorëhequr të PDSH-së Menduh Thaçi.

Top Channel