Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini llogaritet të mbërrijë në Maqedoni më shpejt nga sa ishte planifikuar.

Problemet me uljen në aeroportin ndërkombëtar të Sarajevës e detyruan kryediplomaten europiane të shtynte takimet me pjesëtarët e Presidencës boshnjake.

Sipas “Radio Europa e Lirë”, vështirësitë e fluturimit ishin pasojë e kushteve të këqija atmosferike. Turi ballkanik i Mogherinit nisi një ditë më parë me ndalesën në Podgoricë, ku bisedoi me përfaqësues të qeverisë malazeze, partive politike dhe parlamentit.

Vëmendja tani është spostuar tek vizita e saj në Maqedoni, vendi që i pa ngërçet etnike të materializoheshin sërish me reagimet e ashpra ndaj mundësisë së krijimit të një qeverie të social-demokrateve të mbështetur nga partitë.

Vëzhguesit e huaj druhen se në Maqedoni mund të vendoset një lloj diktature, thotë “DW”. Brukseli e ka mbajtur për vite të tëra nën presion Nikolla Gruevskin, e kreu i shtetit Gjorgje Ivanov bllokoi së fundi mundësinë e krijimit të Ekzekutivit të ri nga opozita.

“Nuk ka kohë për të humbur”, deklaron Johannes Hahn, ndërsa Parlamenti Europian i kërkon Shkupit reforma të vërteta në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Vendi ka hyrë në një spirale negative, e cila i zbeh shumë shanset e anëtarësimit në BE. Në Maqedoni, Mogherini do të takohet së pari në parlament me liderët partiakë e në vazhdim, do të pritet nga presidenti Ivanov.

Top Channel