Projektligji për sportin, MAS e diskuton me mediat

02/03/2017 00:00

Projektligji i ri për sportin ishte çështja për të cilën u diskutua në një takim të zhvilluar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca me gazetarët.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe deputeti Fidel Ylli, një prej nismëtarëve kryesorë në përgatitjen për ndryshimet në këtë draft të ligjit të ri të sporteve.

Një prej çështjeve që u diskutua në këtë takim ishte ajo që ka të bëjë me administrimin e Qendrave Olimpike, si Kompleksi Dinamo apo qendra e re olimpike që po ndërtohet në Korçë. Me vendim të Këshillit të Ministrave, këto qendra administrohen nga bashkitë, diçka që ka rezultuar e pasukssesshme. Në diskutimet e kësaj pike, propozimi ishte që administrimi i tyre të kalojë te qeveria qendrore për një sërë arsyesh, një prej të cilave ka të bëjë me aspektin financiar.

Tjetër pikë që u diskutua në takimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve ishte edhe statuti i klubeve të futbollit. Sipas projektligjit të ri, bashkitë do të kenë 6 muaj kohë për tu dhënë statut të ri klubeve që kanë nën administrimin e tyre që nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në të njëjtën kohë, me anë të këtij drafti, synohet tu jepet më shumë pavarësi federatave sportive, duke u lënë shumë gjëra në dorë të statuteve të vetë institucioneve.

Top Channel