“Ruset tek portat”, Suedia rikthen shërbimin ushtarak

02/03/2017 00:00

Qeveria suedeze vendosi që të rikthejë në fuqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, një lëvizje që mbështetet nga deputetët e vendit.

Kjo do të thotë se 4000 meshkuj dhe femra do të thirren në shërbim që prej 1 janarit të viti të ardhshëm. Ata do të zgjidhen mes 13.000 të rinjve që kanë lindur në vitin 1999, të cilëve do t’i kërkohet që të bëjnë teste fizike dhe psikologjike.

Suedia është një vend neutral, por së fundmi është shqetësuar nga stërvitjet ushtarake ruse në Baltik. Në kuadër të situatës së re në rajon, shtatorin e shkuar, Suedia riktheu një garnizon ushtarak në ishullin Gotland, i cili gjendet mes bregdetit suedez dhe tre shteteve baltike, ish-republika sovjetike.

Zyrtarë të ministrisë suedeze të Mbrojtjes thanë se rikthimi tek shërbimi i detyrueshëm ushtarak u nxit nga ndryshimi i situatës në rajon dhe aktiviteti ushtarak i Rusisë është një prej arsyeve.

Rekrutët e rinj do të shërbejnë nga 9 deri në 12 muaj dhe qëllimi është të nxiten të bëhen ushtarakë profesionistë, ose t’i bashkohen rezervistëve. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ekzistonte në Suedi deri në vitin 2010, por më parë rekrutoheshin vetëm meshkuj, ndërsa tashmë do të rekrutohen edhe femra.

Ministria suedeze e mbrojtjes tha se 70% i parlamentit e mbështet këtë vendim për të përforcuar ushtrinë. Suedia nuk është në NATO, siç janë fqinjët e saj Norvegjia dhe Danimarka. Sistemi suedez i rekrutimit është një përzierje mes vullnetarëve dhe atyre me detyrim dhe do të modelet sipas versionit norvegjez.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel