Klosi: Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve që kërkojnë azil në Gjermani

02/03/2017 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, në një konferencë për shtyp me Presidentin e Landit të Hesenit, deklaroi se “të dhënat më të fundit nga autoritetet gjermane, tregojnë se Shqipëria ka dalë nga lista e 10 vendeve që kërkojnë azil në Gjermani”.

“Koha na dha të drejtë, që vala e largimeve dy vjet më parë ishte mashtrim. Tani punësimi është vetëm përmes kualifikimit dhe punësimit legal. Me Gjermaninë kemi projekt për punësimin sezonal të nxënësve të arsimit profesional”, tha Klosi.

Ministri shtoi se “Gjermania kërkon kryerjen e shpejtë të reformës në drejtësi”.

“Përshëndes qëndrimin e qeverisë gjermane që nxit miratimin e shpejtë të reformës në drejtësi”, tha Klosi.

Ndërsa Presidenti i Landit të Hesenit tha: “Qëndrimi ynë është i qartë. Do të investohet në Shqipëri kur të rritet siguria juridike. Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë. Vijoni me reformimin e gjyqësorit. Jemi këtu për të ofruar vetëm punësim legal në Gjermani. Profilet e kërkuara janë ato me kualifikim profesional”.

Top Channel