Gjyshet valltare, shteti detyrohet t’i vërë fre

02/03/2017 00:00

Kudo që ka hapësira të lira në Kinë, gjen gjyshe që kërcejnë. Ky fenomen është përhapur shumë në vendin aziatik dhe femrat e moshuara, që tashmë njihen si dama, shfaqen në parqe dhe lulishte dhe vallëzojnë si një mënyrë e mirë për t’u mbajtur në formë pa shpenzuar dhe për të njohur njerëz.

Damat apo gjyshet valltare kanë marrë mjaft famë dhe atyre i janë bashkuar edhe njerëz nga breza më të rinj si edhe meshkuj.

Por aktiviteti i tyre nuk shihet mirë nga njerëz të tjerë, që thonë se me zhurmën e altoparlantëve, gjyshet valltare prishin qetësinë publike.

Të irrituar nga zhurma e muzikës non stop, njerëz që jetojnë pranë vendeve më popullore të kërcimit në Pekin apo edhe qytete të tjera kineze, i kanë vërsulur edhe qentë valltareve.

Shqetësimi dhe përballja e vazhdueshme detyroi shtetin që të ndërhyjë dhe në Pekin, autoritetet lokale thanë se gjyshet apo kushdo tjetër, mund të bëjnë aktivitete të tilla nëse nuk shqetësojnë të tjerët dhe nuk prishin qetësinë publike.

Që prej 1 marsit, ato do të gjobiten nëse ka ankesa dhe vërtetohet shkelja që kanë bërë. Për këtë arsye, disa parqe në vend kanë nisur të instalojnë matës decibelësh për të verifikuar nëse gjyshet janë më të zhurmshme se duhet.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel