SHBA-BE kundër Ivanov: Të shqetësuar që nuk u mandatua Zaev

02/03/2017 00:00

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily reagoi ndaj vendimit të Gjorgje Ivanovit për të mos mandatuar Zoran Zaevin për krijimin e qeverisë së re, duke i bërë thirrje të rishikojë lëvizjen e tij.

Baily kujtoi se e bën deklaratën në cilësinë e përfaqësuesit të partnerëve strategjike të Republikës së Maqedonisë, e njëkohësisht si miq që respektojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Sipas ambasadorit, Shtetet e Bashkuara u shqetësuan nga lajmi dhe nga vetë situata e krijuar. Përmes një postimi në Twitter ai u shpreh se pajtohet me deklaratën e komisionerit Johannes Hahn, i cili e kritikoi vendimin e presidentit Ivanov.

Maqedonia, shkruante ai, largohet nga parimet demokratike dhe sundimi së drejtës, të cilat janë vlerat themelore të NATOS.

Që vendimi i Ivanovit bie ndesh me interesat e vendit, këtë e bëri të qartë edhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Ivo Vajgl.

Vajgl tha për Nova Tv se presidenti maqedonas duhet ta rishikojë vendimin e marrë, i cili, siç thotë ai, është në dëm të interesave të Maqedonisë dhe në kundërtshtim me pritshmëritë e Parlamentit Evropian, apo institucioneve të tjera të bllokut që kanë shprehur mbështetje për Maqedoninë drejt integrimit euro-atlantik.

Më herët, lëvizja Besa doli me një deklaratë ku e cilësonte këtë si një moment shumë të trazuar për vendin dhe i drejtohej me një apel të drejtëpërdrejtë Bashkimit Europian dhe NATO-s për të ndihmuar në rivendosjen e sundimit të ligjit.

Ali Ahmeti reagoi gjithashtu duke sqaruar se deklarata e partive shqiptare nuk e cënon në asnjë mënyrë ose formë shtetin dhe unitetin e vendit e nuk profetizon federalizmin apo ndarjen.

Top Channel