Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Federicha Mogherini, viziton të enjten Maqedoninë, si pjesë e udhëtimit në Ballkanin Perëndimor.

Siç bëjnë të ditur përfaqësues të Komisionit Europian në Shkup, diplomatja e lartë do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, me liderët e partive politike si dhe me studentët që marrin pjesë në programin “Erasmus”.

Nuk ka shumë detaje lidhur me përmbajtjen e axhendës së Mogherini-t në Maqedoni, e mesazhet që do të përcjellë ajo në mesin e krizës së thelluar politike pas vendimit të Ivanovit për të mos i dhënë mandatin Zoran Zaevit.

Mogherini, ditë më parë, i bëri thirrje Ivanovit t’i japë mandatin atij që ka siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve, duke kërkuar formimin e shpejtë të qeverisë. Në prag të udhëtimit, përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte një prioritet kyç, e pohoi se po ndiqnin më shumë interes progresin e secilit prej vendeve të rajonit në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian.

Të premten, kryediplomatja europiane do të ndalojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin Tomisllav Nikolic, kryeministrin Aleksander Vuçiç e liderë të tjerë politik.

Gjatë pasdites, do të mbërrijë edhe në Tiranë, ku pritet të zhvillojë bisedime me presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, e përfaqësues të partive politike.

Pas ndalesës së fundit në Kosovë ditën e shtunë, kur pritet të vizitojë edhe Mitrovicën, Mogherini do të hartojë një raport për gjendjen në rajon që do të shqyrtohet në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian të Hënën.

Top Channel