Thaçi: Shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre

02/03/2017 00:00

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me tone kritike ndaj retorikës anti-shqiptare të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

“Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e anti-shqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti”, ka deklaruar Thaçi.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, Thaçi shprehet se, me vendimin e tij presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe Marrëveshjen e Ohrit.

“Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, ka thënë më tej Thaçi.

Top Channel