Shtyrja e vendimit për Haradinaj, Mustafa akuza Serbisë

02/03/2017 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka akuzuar Serbinë për ndikim të paligjshëm ndaj drejtësisë franceze, që këtë të enjte vendosi shtyrjen për në muajin prill vendimin për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Shtyrja sërish e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas tij, përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike dhe duke keqpërdorur drejtësinë, Serbia po përpiqet të dëmtojë po ashtu jo vetëm imazhin dhe personalitetin e ish-kryeministrit Haradinaj, por edhe atë të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës.

“Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i japë fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërsa kërkojmë nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e zotit Haradinaj në Republikën e Kosovës”, shton Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Top Channel