Gjykata në Kolmar vendos sot për Haradinajn

02/03/2017 00:00

Gjykata e Apelit në qytetin Kolmar të Francës lindore, pritet të vendosë sot lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Serbia pretendon se ka ofruar prova të reja që nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012, në një rigjykim të pjesshëm. Avokatët thonë që nëse gjykata hedh poshtë kërkesën serbe, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë i lirë dhe Serbia nuk ka mundësi apelimi, ndërsa në një rast të kundërt, vendimin përfundimtar për ekstradim apo jo do ta merrte qeveria franceze, përkatësisht ministri francez i Drejtësisë.

Ramush Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhër-arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar, Gjykata e Apelit në Kolmar e liroi me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradim. Ndalimi i tij nxiti reagime të ashpra në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Ky është rasti i dytë që Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër-arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, ndërsa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol, që mos të merren parasysh urdhër-arrestet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Top Channel